Të ushqehesh sipas grupit të gjakut

Share on FacebookPin on PinterestTweet about this on TwitterEmail this to someone

E zhvilluar nga mjeku natyralist  Peter D’Adamo,dieta që bazohet mbi grupin e gjakut i këshillon njerëzit që të hanë ushqim të posaçëm bazuar në grupin e tyre të gjakut: A, B, AB, ose 0.

Kjo hipotezë e zhvilluar në librin e tij: “Dieta e individualizuar si zgjedhje për një trup të shëndetshëm” (tashmë e përkthyer edhe në shqip) bazohet në teorinë se cdo grup gjaku kontribuon në mënyra të ndryshme për të tretur proteinat ushqimore (lecitinat).

Dr. D’Adamo beson se te ngrënit e ushqimeve që përmbajnë lecitinat e gabuara për grupin e gjakut mund të shkaktojë efekte të dëmshme mbi organizmin që përfshijnë: ngadalësim të metabolizmit, fryrje, madje deri në patologji malinje si kanceri.

Duke anashkaluar ushqimet që nuk përputhen me grupin e gjakut dhe duke u dhënë përparësi atyre që janë te përshtatshëm me të, sipas D’Adamo, kemi në dorë biletën drejt një jete të shëndetshme.Në bazë të këtij klasifikimi qëndron teoria e evolucionit të grupeve të gjakut e diskutuar për herë të parë në 1950.

Tipi 0: Ky është grupi i parë i gjakut, më i vjetri. Në websitin e tij D’Adamo e përshkruan grupin 0 si një prototip i lashtë,një grabitqar agresiv mishngrënës, i cili daton që në kohërat kur gjahtarët e fiseve siguronin mishin si burim të parë ushqimi. Rrjedhimisht, sipas planit dietik njerëzit me këtë grup gjaku përfitojnë nga dieta e pasur me proteina, mishi dhe peshku, disa drithëra dhe ushtrime rigoroze. si vrapi, noti etj.

Tipi A: Pas epokës së kultivimit të drithërave dhe produkteve bujqësore cdo gjë ndryshoi rrënjësisht për njerëzimin,përfshirë edhe grupin e gjakut.Ky grup gjaku u zhvillua si nevojë për të shfrytëzuar maksimalisht nutrientët e përftuar nga burimet karbihidrike. Rrjedhimisht grupi i gjakut A toleron proteinat e sojës, grurit dhe perimeve, duke hequr nga dieta mishin e kuq, si dhe këshillon ushtrime më të lehta fizike si yoga.

Tipi B: Sipas kësaj teorie,ky grup gjaku zotëron aftesinë e fleksibilitetit, pra personat me grup B mund të tolerojnë si produktet e bulmetit ashtu edhe mishin dhe produktet e tij. Megjithatë nuk këshillohen misri, mielli, thjerrëzat, domatet dhe kikirikët.Ndërkohë sugjerohen ushtrime të reduktuara fizike.

Tipi AB: Ky grup gjaku ndan karakteristika te përbashkëta midis grupit A dhe grupit B. Personat e grupit AB inkurajohen që të shmangin përdorimin e mishrave por mund të konsumojnë tofu, prodhime deti dhe bulmeti.

Për këtë grup këshillohet një nderthurrje e ushtrimeve të lehta me ato rigoroze.

Cfarë premtohet?

Dieta e bazuar mbi grupin e gjakut pretendon se ju trajton si një “individ biokimik” që do të thotë se duke ndryshuar dietën tuaj drejt ushqimeve që tolerohen më mirë nga grupi juaj i gjakut mund të arrihen rezultate të dukshme në përmirësimin e shëndetit që konsistojnë në: qartësi mendore, rezistencë të rritur ndaj sëmundjeve, përshpejton procesin e djegies së dhjamit (adipociteve),por mbi të gjitha ju bën një person më energjik.

BLOOD-TYPE-DIETAvantazhet & Disavantazhet

Si studentë mjekësie kemi detyrimin e të qënit pak skeptikë kur vjen puna tek përtypja e një informacioni mjekësor të ri në sytë e publikut. Nga disa kërkime ne web rezulton në fakt se ka mungesë të kërkimeve individuale shkencore mbi këtë çështje. Gjithashtu pjesa më e madhe e komunitetit mjekësor në botë nuk e mbështesin idenë se grupi i gjakut ka një lidhje kaq të drejtpërdrejtë mbi shëndetin dhe specifikisht me një dietë të personalizuar. Duhet thënë se kufizimi i klasave të caktuara ushqimore nuk rekomandohet nga shumica e specialistëve nutricionistë dhe nuk është e thjeshtë të ushtrohet nga shumë persona.Për shkak të planit të individualizuar kjo dietë mund të jetë e vështirë për tu ndjekur nga familjet që kanë pjesëtar me grupe të ndryshme gjaku.

Gjithçka duket shumë intriguese duke qenë se pas kësaj teorie qëndrojnë mijra vite evolucioni që nga paraardhësit tanë dhe vetë historia e kësaj hipoteze është ndjellëse! Nuk është çudi pra që shumë njerëz janë përfshirë nga ky stil jetese.

Për më tepër në këtë dietë nuk ka kufizime kalorike, kjo do të thotë se ndjenja e urisë, shumë e shpeshtë në dietat e tjera, në këtë rast nuk është e zakonshme. Nga ana tjetër kjo nënkupton se rezultatet e rënies në peshë janë të kufizuara, por si thekson Dr. D’Adamo ky regjim nuk fokusohet tek humbja e kg më tepër se tek mirëqënia e organizmit në tërësi.

Kjo dietë bazohet në parimin se cdo njeri është unik kur vjen puna tek metabolizmi.Për këtë jemi dakort,por ajo që na intereson është sa praktike dhe të shëndetshme janë këto dieta. P.sh nëse një person që pëlqen konsumin e mishit dhe është i varur ndaj tij rastis të jetë grup A, dieta vegjetariane që i këshillohet nuk duket shumë praktike.

Cdo njeri është i ndryshëm dhe jo vetëm për shkak të grupit të gjakut por mbi të gjitha për shkak të preferencave personale.Të heqësh nga regjimi ushqyes klasa të tëra ushqimore mund të cojë në disbalancë ushqyese dhe kjo e bën të vështirë ndjekjen e dietës për periudha të gjata kohore. Dhe megjithese nuk e hedhim tërësisht poshtë këtë teori, nevojiten më shumë fakte shkencore për ti mbështetur pretendimet.

Nëse jeni kureshtar për ta provuar këtë stil jetese flisni me mjekun tuaj më parë për të kuptuar nëse dieta e këshilluar sipas grupit tuaj të gjakut është e sigurt për ju dhe për të gjetur një përqasje më praktike ndaj saj. Mbi të gjitha kjo është një dëshirë personale dhe nëse pas një periudhe prove kjo dietë rezulton e suksesshme për ju, ne do të ndihemi mirë që të paktën ju kemi dhënë informacionin e duhur për të zgjedhur!

Share on FacebookPin on PinterestTweet about this on TwitterEmail this to someone

Comments

comments